Tags

, , ,

TIRANE – Derisa monumentet janë lënë në mëshirë të fatit, përderisa është çmontuar Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është kthyer në një zyrë që rri këtu në Tiranë, janë prishur ato që ishin drejtoritë apo atelietë e monumenteve, të vjedhësh ikonat, është mëkati më i vogël…” Aleksandër Meksi jep vërejtjet, këshillat dhe mendimet e tija për monumentet sot. Si njohës i mirë i vlerave të trashëgimisë, ai hedh dritë edhe mbi Kishën e Labovës së Kryqit, historinë e vjedhjes së kryqit, vlerat e saj arkitekturore, historikun dhe si i shpëtoi ajo shembjes më 1967.

Meksi tregon edhe vizitat e parë në të e investimet që duhen bërë sot… 
Prof. Meksi, a keni qenë në Kishën e Labovës së Kryqit me Pranvera Hoxhën?
Në shtyp janë shkruar mjaft sende, që nuk janë shumë të vërteta. 
Unë do të cekja dy prej tyre. Kur kam shkuar në Labovën e Kryqit, nuk kam shkuar me Pranvera Hoxhën. Këtë nuk e them për çështje politike, por tani meqë aludohej se ajo mund të ketë dorë në humbjen e kryqit, gjë që nuk vërtetohet zakonisht, akuzat nga pozita politike nuk vlejnë. Duhet të dish që tjetri ka bërë një faj që ta akuzosh. Me sa di unë, Kohen nuk ka qenë drejtor muzeu në Mynih, por profesor në Universitetin e Marburgut dhe nuk di të jetë ngatërruar me këtë çështje. Ai kur ka ardhur ka qenë gjithnjë i shoqëruar me shqiptarë, me Apollon Baçen apo me dikë tjetër, me Gjerak Karaiskaj, etj. 
Si u fut në mbrojtje kisha, duke i shpëtuar shembjes më 1967?
Ndërsa lidhur me vënien në mbrojtje shtetërore, Labova e Kryqit nuk ka qenë siç thotë Kozara Kati, në listën e atyre kishave që do të shembeshin. Unë kam qenë anëtar i komisionit, kanë qenë 5 veta në komision dhe unë kam pasur rolin kryesor meqenëse unë merresha me ndërtimet e kultit, pas meje ishin Theofan Poa dhe Pirro Thomo. Është e vërtetë që kur kemi shkuar në kolegjium për të miratuar listën e fundit, një nga të pranishmit bëri një insinuatë të tillë, duke thënë që pse duhet ta ruajmë se ajo është kishë greke. I thashë që këtë e thua ti, dhe po qe se na e vërteton, dakord. Aty patëm mbështetjen e Dhimitër Shuteriqit dhe të Thoma Delianës që ishte ministër, e Hasan Dumes që ishte zëvendësministër. Këta për nga niveli kulturor i tyre e kuptonin rëndësinë e monumenteve dhe dolën tërësisht në mbrojtje të atyre njerëzve që donin të ruanin monumentet e kultit: kisha dhe xhamia. Sigurisht, poshtë e përpjetë mund të jenë thënë shumë gjëra, në mbrojtje të objekteve dhe Vasil Kati që njihej si njeri i rregullt dhe i kulturuar mundet që edhe si vendali, ta ketë mbrojtur, por unë nuk kam si ta di. Por kisha nuk ka qenë në kishën e atyre që do shembeshin, se ka qenë një ndër më të rëndësishmet. 
Kur keni qenë për herë të parë në Labovën e Kryqit?
Besoj se kanë qenë vitet 1960. Unë kam filluar punë në shtator të 1962-it në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Monumentet ne i vizitonim sipas vlerës së tyre dhe sipas nevojës që kishin për ndërhyrje apo për punime. Kisha e Labovës së Kryqit, që është një nga monumentet më të shquara të Shqipërisë mesjetare, sigurisht që është vizituar nga të parat. 
Duhet të kuptoni që në atë kohë ka pasur vështirësi, sa u takon rrugëve, mjeteve të transportit. Merrnim një xhip të vjetër të zyrës, kur na vinte radha që të shkonim. Megjithatë ka qenë një monument, objekt studimi nga ana ime. Dy herë kam botuar materiale për të: një herë bashkë me kishën e Peshkëpisë, e rëndësishme edhe ajo si një qendër peshkopale diku nga fundi i shekullit të 11-të dhe më vonë si diskutim për një libër të një studiuesi të shquar grek të Mesjetës, Vokotopullos, mbi një libër që ka bërë për kishat e Epirit, të bregdetit perëndimor të Greqisë. 
Ka shumë gojëdhëna për të…
Monumenti ka qenë i njohur me studime më të vjetra, jo shumë të sakta në planimetri, të mbushura me gojëdhëna dhe siç është zakoni në fillim të shekullit të 20-të që quhen dije gojëdhënat, por kurrë nuk del se ku janë marrë, ku janë të shkruara e me to vazhdohet edhe sot. 
Çfarë duhet bërë për këtë kishë?
Është një monument i veçantë me shumë rëndësi. Për të shkuar tek ai duhet të ketë një rrugë dhe kjo nënkuptohet edhe për turistët. Për të vizituar këtë kishë, grupe turistike kanë ardhur që në vitet 1980. Unë vetë kam shoqëruar atë grupin që erdhi në vitin 1989, ndaj kjo kishë duhet të kihet në konsideratë, për t’u njohur jo vetëm të huajt, por edhe shqiptarët me të. 
Cilat janë vlerat kryesore të saj?
Është një kishë shumë e madhe. Ju e dini që atë e ka vizituar edhe Hahn-i, diku nga mesi i shekullit 19-të, ndërkohë që shprehej se kisha zor se do ta kalonte vitin. Megjithatë, aty qenë bërë punime dhe ajo rezistoi deri sot. Punime janë bërë edhe para 1990-ës, por jo nga unë, ku janë pastruar pikturat, kolonat. Por, këto punime duhet të vazhdojnë për të parë që gjurmë të vjetra ka ende ky monument. 
Çfarë mund të dalë në dritë nga punimet që mund të bëhen?
Sa i përket restaurimit, apo kthimit të tij në gjendjen e mëparshme, ka pjesë që nuk ndryshojnë dot më sepse janë zhdukur dhe janë rindërtuar. Kjo është një çështje që i takon të ardhmes. Monumenti vrojtohet, soditet, përftohet, vlerësohet edhe në gjendjen që është sot, sepse është i veçantë dhe me përmasa të mëdha për ndërtimet e provincës. Me të mund të krahasohet në zonën e Epirit dhe këtej vetëm Paragoritisa e Artës dhe Kisha e Mesopotamit. 
A ka ngjashmëri ajo me kishën e Shën Sofisë në Stamboll?
Ka elementë të përbashkët siç janë elementët qendrorë, por nuk ka ngjashmëri të atij lloji, që nga përmasat për shembull deri tek konceptet arkitekturore. Por në atë kohë me këtë planimetri ka edhe kisha të tjera në Selanik, në Epir, etj. 
Lidhja që bëhet me Justinianin dhe me kryqin, pra me relikuarin që ishte kutia ku ndodhej kjo pjesë nga kryqi i Krishtit, mund të jetë edhe e vërtetë dhe e mund të vërtetohet me anë të analizave më karbone radioaktive do të tregonte shumë. Ato mund të kenë ardhur në kohë të ndryshme dhe me anë gojëdhënash. Dëshmitë historike janë tjetër gjë, e tjetër gjë janë gojëdhënat. 
Çfarë dini ju për humbjen e kryqit të Kishës së Labovës?
Humbja e kryqit është sigurisht një dëm që i bëhet kulturës, sepse mund të sqaronte mjaft sende. Për mendimin tim, kisha i takon fundit të shek. 13-të, kur nga Berati deri në Artë, sundimtarët e Despotatit të Epirit përfshinin tokat kryesisht të banuara nga shqiptarët, ndërtuan një sërë monumentesh. Kjo kishë ka paralele të kësaj periudhe në teknikën e ndërtimit, për përmasat dhe vetëkuptohet që në një fshat të periferisë, të futur thellë ku edhe sot e kësaj dite është vështirë të shkosh atje, ndërtimi sigurisht është bërë nga dikush që kishte një lidhje me fshatin, që dëshironte t’i linte fshatit një ndërtim të veçantë e që për këtë arsye dha paratë për ta ndërtuar. 
Si e shihni fenomenin e vjedhjes së ikonave në kishat shqiptare?
Derisa monumentet janë lënë në mëshirë të fatit, përderisa është çmontuar Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është kthyer në një zyrë që rri këtu në Tiranë, janë prishur ato që ishin drejtoritë apo atelietë e monumenteve…; sot në ekonominë e tregut edhe me subkontraktorë, por të kualifikuar mund të bëhen të tregojnë kujdes për to, por sot aty janë njerëz që nuk kanë lidhje me monumentet, pa asnjë lloj kualifikimi, madje merren persona sa për të thënë; sot kur lejohet të ndërtosh hotele në mes zonale muzeale, brenda kalave, brenda qyteteve historike, kur monumentet prishen-të vjedhësh është mëkati më i vogël dhe mëkati më i vogël është ta zaptosh ikonën, ta marrësh, ta futësh në shpi. Pra, nëse lejohen gjitha të tjerat, vjedhja nuk është asgjë, ose është gjëja më e vogël që mund t’i njihet shqiptarit! Duhet të kishte kujdestar për to dhe këtu e 20-30 vjet përpara kishte. Kujdestari, duke shkuar në mënyrë të vazhdueshme, duke marrë kontakte me vendasit, kishte një lloj presioni ndaj atyre që mund të hynin e të dilnin. 

via Balkanweb.com – Aleksandër Meksi: Nuk kam shkuar me Pranvera Hoxhën në Kishën e Labovës së Kryqit – Kulturë.