Tags

, , ,

TIRANË- Pas kërkesës së News24 dhe Balkanweb, Konferenca Ipeshkvore e Kishës Katolike në Shqipëri ka reaguar për çështjen e prishjes së Kishës së Dhërmiut. Me anë të një deklaratë, Kisha Katolike bën të ditur se nuk është njohur zyrtarisht me rastin duke u përpjekur të qëndrojë jashtë debatit të institucioneve të tjera fetare me shtetin shqiptar.         “Kisha Katolike në Shqipëri nuk është e informuar zyrtarisht nga asnjë institucion përsa i përket çështjes së Kishës Ortodokse në Dhërmi. Kisha Katolike nuk është e përshirë dhe as nuk përfshihet në debate të institucioneve të tjera fetare me shtetin shqiptar, kur këto debate kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e atij institucioni me shtetin shqiptar.

Kisha Katolike nuk do të përfshihet në këtë çështje me gjithë këmbënguljen e mediave apo institucioneve të tjera që kjo gjë të ndodhë. Ftojmë çdo person që ka përgjegjësi institucionale brenda strukturave të bashkësive fetare, që çdo deklarim ta bëjë në frymën e dialogut dhe respektit pa ngutje emocionale që mund të ngjallë habi tek të tjerët”, thuhet në deklaratën e saj.

Më tej Kisha Katolike i bën thirrje strukturave përgjegjëse shtetërore që çdo mosmarrëveshje me institucionet fetare ta zgjidhin, duke respektuar përpikmërisht Kushtetutën e vendit dhe ligjet ndërkombëtare përkatëse.

“Në lidhje me respektin e varreve të çdo personi, qoftë ai meshtar apo laik, i krishterë ose jo, Kisha Katolike ripohon se respekti për varret duhet të jetë i patjetërsueshëm. Ky respekt buron jo vetëm nga ligjet, por sidomos nga feja, tradita dhe kultura njerëzore”, përfundon deklaratën Kisha Katolike në lidhje me përplasjen e shtetit shqiptar me komunitetin ortodoks të Himarës.

KOMITETI SHTETËROR PËR KULTET: NGJARJA NUK CENON HARMONINË FETARE
Edhe Komiteti Shtetëror për Kultet ka reaguar në lidhje me çështjen e Kishës së Dhërmiut. Kreu i këtij Komitetit, Ilir Dizdari tha për News24 se çdo institucion vepron në korrektësi me ligjin. Ai u shpreh se ende nuk kanë informacion zyrtar nga Kisha Ortodokse, por se kjo ngjarje nuk cenon harmoninë fetare.

“Po mbledhim informacionet e nevojshme. Nuk kemi shkresë zyrtare nga Kisha Ortodokse. Kuptojmë ndjeshmërinë e banoreve të zonës. Ngjarja nuk cenon harmoninë fetare. Harmonia fetare është produkt i sakrificave të shqiptarëve”, është shprehur Dizdari.

(m.k/BalkanWeb)

 

Source: Kisha Katolike: S’kemi informacion zyrtar për kishën e Dhërmiut, të respektohet kushtetuta. Komiteti i Kulteve: Nuk cenon harmoninë fetare – BalkanWeb.com